27 vjet nga krimi makabër ndaj familjes Berisha
27 vjet më parë, në Suharekë, ndodhi një nga krimet më të rënda gjatë luftës në Kosovë, ku familja Berisha u bë viktimë e një masakre të organizuar nga forcat serbe.
Sipas dëshmive, fillimisht u qëllua me armë zjarri ndaj rreth 50 anëtarëve të familjes. Më pas, të vrarët dhe të plagosurit u grumbulluan dhe u dërguan në një lokal kafiterie, ku mbi ta u hodhën bomba, me qëllim që të mos mbijetonte askush.
Ngjarja nisi kur paramilitarët serbë u shfaqën pranë shtëpive të familjes, vetëm pak metra larg stacionit policor. Disa prej anëtarëve u vranë në vend, ndërsa të tjerët u detyruan të largohen dhe u dërguan drejt vendit ku ndodhi masakra.
Nga kjo tragjedi arritën të shpëtojnë vetëm tre persona: Vjollca Berisha, djali i saj Gramoz dhe Shyhrete Berisha. Ata mbijetuan pasi u hodhën nga një kamion në lëvizje gjatë transportimit të trupave drejt Prizren.
Sipas rrëfimeve, në atë kamion kishte edhe persona të tjerë ende gjallë, por të plagosur rëndë.Vite më vonë, disa prej eshtrave të viktimave janë gjetur dhe janë rivarrosur me nderime, përfshirë Bujarin, Fatonin, Nexhatin dhe Artën. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, jo të gjithë anëtarët e familjes janë gjetur.
