eKosova rrit sigurinë: Aktivizimi i 2FA bëhet i obligueshëm brenda dy javësh
Platforma shtetërore eKosova ka njoftuar të gjithë qytetarët për një hap të rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë së të dhënave personale përmes aktivizimit të Autentifikimit me Dy Faktorë (2FA).
Ky mekanizëm i ri ofron një nivel shtesë mbrojtjeje për profilin e çdo përdoruesi, duke bërë të mundur që, përveç fjalëkalimit tradicional, gjatë çdo hyrjeje në llogari të kërkohet edhe një kod unik verifikimi. Ky kod dërgohet në kohë reale në numrin e telefonit ose në email adresën e përdoruesit, duke siguruar që qasja të mbetet e mbrojtur edhe në rastet kur fjalëkalimi mund të jetë zbuluar nga persona të paautorizuar.
Gjatë dy javëve të ardhshme, qytetarët inkurajohen që ta aktivizojnë këtë opsion manualisht përmes cilësimeve të profilit të tyre në platformë. Procesi është i thjeshtë: pas kyçjes në eKosova, përdoruesit duhet të navigojnë te seksioni i profilit dhe nën kategorinë “Autentikimi me dy faktorë” të zgjedhin opsionin “Aktiv”.
Gjithashtu, është e rëndësishme që të përzgjidhet mënyra e pranimit të njoftimeve, ku opsionet përfshijnë pranimin e kodit përmes Email-it, SMS-it, ose të dyjave bashkë, në mënyrë që procesi i identifikimit të jetë sa më i përshtatshëm për përdoruesin.Pas përfundimit të kësaj periudhe dyjavore, platforma do ta aktivizojë automatikisht këtë funksionalitet për të gjitha llogaritë ekzistuese.
Ky veprim vjen si një masë parandaluese e domosdoshme për të garantuar integritetin e identitetit digjital të qytetarëve në shërbimet publike. Megjithatë, përdoruesit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të sigurohen që të dhënat e tyre të kontaktit në profil janë të sakta.
Nëse numri i telefonit apo email-i janë të vjetruar ose të gabuar, pas aktivizimit automatik qasja në llogari do të jetë e pamundur pa ndihmën e Qendrës së Thirrjeve.Në fund, rekomandohet që asnjëherë të mos ndani kodin e verifikimit me persona të tjerë dhe të përditësoni menjëherë të dhënat nëse ndryshoni numrin e telefonit.
Për çdo paqartësi apo problem teknik gjatë këtij procesi, qytetarët mund të kontaktojnë mbështetjen teknike të eKosova përmes numrave të telefonit 038 200 30 900 dhe 0800 30 900, ose përmes postës elektronike zyrtare. Siguria kibernetike mbetet një prioritet i përbashkët për të gjithë përdoruesit e shërbimeve elektronike shtetërore.
