PDK: Qëndrimet e Prokurorisë në Hagë po shtrembërojnë të vërtetën historike dhe po kriminalizojnë luftën çlirimtare
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, duke i cilësuar ato si devijim nga e vërteta dhe drejtësia, në shërbim të narrativës së rreme serbe.
Foto: Ilustrim
Në një komunikatë për media, PDK thekson se në fazën përmbyllëse të gjykimit është bërë e qartë se procesi ka marrë një drejtim politik, me synim deformimin e së vërtetës historike dhe paraqitjen e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës si projekt kriminal.
Sipas PDK-së, regjimi i Millosheviqit dhe aparati shtetëror serb kanë kryer krime të rënda në Kosovë, përfshirë spastrim etnik dhe gjenocid, fakte këto të dokumentuara nga mekanizma ndërkombëtarë të drejtësisë.PDK thekson se UÇK-ja ishte një organizim popullor, i lindur si përgjigje ndaj dhunës shtetërore serbe dhe mohimit të çdo rruge tjetër për liri.
Sipas komunikatës, ish-krerët e UÇK-së nuk po gjykohen si individë të shkëputur nga konteksti historik, por si simbole të rezistencës dhe shtetformimit të Kosovës.Partia e konsideron të papranueshme çdo përpjekje për ta lidhur shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me pretendime kriminale, duke theksuar se pavarësia është akt politik i njohur ndërkombëtarisht dhe i ndërtuar mbi të drejtën universale për liri.
Në fund, PDK rikonfirmon bindjen e saj në pafajësinë e çlirimtarëve dhe në legjitimitetin e luftës së UÇK-së, duke theksuar se “liria nuk është krim dhe historia nuk mund të rishkruhet”.
