Policia nis hetime për numërimin e votave në Suharekë
Sipas burimeve tona, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren i ka dërguar zyrtarisht Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Suharekë një kërkesë për dorëzimin e dokumentacionit lidhur me procesin e numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit.
Kërkesa është bërë me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe ka të bëjë me dyshime për shkelje të të drejtës së votimit gjatë numërimit të votave për kandidatët për deputet.
Në kuadër të hetimeve, Policia ka kërkuar listën e personelit të angazhuar, marrëveshjet e numëruesve si dhe procesverbalet dhe librat e evidencës së numërimit të votave.
Burimet tona bëjnë të ditur se dokumenti është pranuar nga institucioni përkatës dhe se rasti tashmë është në trajtim nga organet kompetente. Hetimet janë në fazë fillestare dhe priten zhvillime të tjera ditëve në vijim.
