Në gjithë Kosovën shtyhet zhvillimi i procesit mësimor deri më 12 janar

06.01.2026

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka informuar opinionin publik se, si pasojë e reshjeve të fundit dhe përkeqësimit të kushteve në disa pjesë të vendit, ka vendosur që fillimi i procesit mësimor të shtyhet deri më 12 janar 2026.

Sipas njoftimit, për shkak të vërshimeve dhe situatës së rënduar në shumicën e komunave, si dhe vështirësive në qarkullim të shkaktuara nga reshjet e vazhdueshme, të cilat sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës pritet të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, është vendosur që pushimi dimëror të zgjatet edhe për dy ditë shtesë, konkretisht më 8 dhe 9 janar, në të gjithë territorin e Kosovës.

Këto kushte kanë sjellë vërshime lokale, probleme në sistemet e kanalizimit, pengesa në trafik dhe vështirësi në komunikacion.

MAShTI ka bërë të ditur se është në koordinim të vazhdueshëm me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe, bazuar në raportimet nga terreni, është konstatuar se nisja e mësimit të enjten nuk është e mundur. Për rrjedhojë, mësimi për gjysmëvjetorin e dytë do të fillojë të hënën, më 12 janar 2026.Ndërkohë, Ministria ka theksuar se orët mësimore të humbura gjatë këtyre dy ditëve do të kompensohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.