Rrahu dhe e rrëzoi gruan në dysheme, i dyshuari G.P. ndalohet për 48 orë në Malishevë

31.12.2025

Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar sot në Malishevë, ku një grua ka pësuar lëndime trupore si pasojë e një sulmi të dyshuar nga bashkëshorti i saj.

Ngjarja ka ndodhur më 30 dhjetor 2025, rreth orës 11:00, në rrugën “Mulla Sejdia”, në lagjen Pallanka–Dragobil. Sipas burimeve të sigurta, D.P. ka raportuar në polici se bashkëshorti i saj, G.P., ushtron në vazhdimësi dhunë fizike dhe psikike ndaj saj.

Sipas deklarimit të viktimës, i dyshuari e ka goditur dhe shtyrë, duke e rrëzuar në dysheme, çka i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore. Ajo posedon edhe raport mjekësor që dëshmon lëndimet e marra.

Pas raportimit, njësitet policore nga Stacioni Policor Malishevë, përfshirë zyrtarët përgjegjës për rastet e dhunës në familje, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Janë marrë deklaratat e palëve dhe, pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”.

Policia ka kryer gjithashtu kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, por nuk ka gjetur asgjë të kundërligjshme. Me vendim të Prokurorit, G.P. është ndaluar për 48 orë, ndërsa viktima, me pëlqimin e saj, është dërguar së bashku me fëmijët në një shtëpi të sigurt.

Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.