Regjistrohen 33,165 votues në Suharekë – LVV fiton me 49,08% të votave në këtë komunë

29.12.2025

Gjatë ditës së diel në Kosovë është mbajtur procesi zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku qytetarët e vendit patën mundësinë të votojnë për përfaqësuesit e tyre dhe për udhëheqjen e shtetit në katër vitet e ardhshme.

Procesi i votimit ka përfunduar pa probleme madhore, ndërsa pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë e konsiderueshme edhe në komunën e Suharekës. Sipas të dhënave zyrtare, në këtë komunë janë regjistruar gjithsej 33,165 votues, që përbëjnë 47,25% të elektoratit.

Nga rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bëhet e ditur se në Suharekë fituese bindëse ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka siguruar 49,08% të votave. Në vendin e dytë është renditur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 20,25% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 18,75%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është renditur e katërta me 8,44% të votave.

Ndërkohë, është bërë e ditur se sot, duke filluar nga ora 12:00, do të nisë procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputet, proces i cili do të përcaktojë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.

Institucionet përgjegjëse kanë bërë thirrje për qetësi dhe durim deri në përfundimin e plotë të numërimit dhe certifikimin e rezultateve përfundimtare nga KQZ.