Shqipëri, arrestohet zjarrfikësi i cili përdorte lokalin për të shitur drogë

25.12.2025

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Aktiviteti”, duke goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetin e Pogradecit.

Operacioni është realizuar përmes hetimeve me metoda proaktive dhe kontrolleve intensive, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Në kuadër të këtij operacioni, në flagrancë është arrestuar L. S., 54 vjeç, banues në Pogradec, i cili ushtronte aktivitet kriminal përmes lokalit që kishte në administrim. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, i arrestuari punonte si zjarrfikës në Bashkinë e Pogradecit dhe përdorte lokalin për shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit të lokalit në lagjen nr. 1 të Pogradecit, Policia gjeti një sasi të konsiderueshme lënde narkotike, pjesa më e madhe e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje. Gjithashtu, u sekuestrua një shumë parash, e dyshuar se ishte siguruar nga aktiviteti kriminal, si dhe dy aparate celularë, të cilët do të përdoren si prova materiale në hetime.

Materialet procedurale dhe provat e sekuestruara i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore dhe ndjekje penale ndaj të arrestuarit. Policia e Korçës nënvizon se operacioni “Aktiviteti” tregon angazhimin e vazhdueshëm të saj për të luftuar kriminalitetin në fushën e narkotikëve dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.