KMDLNj: Faturat e rrymës për muajin dhjetor përbëjnë abuzim të rëndë ekonomik ndaj qytetarëve

25.12.2025

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj rritjes së faturave të energjisë elektrike, duke e cilësuar këtë situatë si të pabesueshme, të pakuptueshme dhe të pajustifikueshme.

Në reagimin e saj, KMDLNj thekson se një rritje e tillë e faturave nuk ka asnjë bazë reale, sidomos duke marrë parasysh faktin se temperaturat mes dy muajve të fundit nuk kanë shënuar dallime të ndjeshme, çka, sipas tyre, përjashton nevojën për rritje të konsumit të energjisë elektrike.

“KMDLNj vlerëson se kjo situatë përbën abuzim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe rëndon në mënyrë disproporcionale mbi buxhetin e familjeve kosovare, duke thelluar varfërinë dhe pasigurinë sociale”, thuhet në reagim.

Sipas KMDLNj-së, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), që nga themelimi i saj, ka vepruar në mënyrë të vazhdueshme në dëm të qytetarëve dhe të paguesve të rregullt të energjisë elektrike, duke fryrë faturat në kundërshtim me ligjin. Organizata përmend edhe një vendim gjyqësor, i cili ka konstatuar se ZRRE ka diskriminuar qytetarët në baza etnike dhe politike, pa u pasuar kurrë me kompensim për dëmet e shkaktuara ndaj qytetarëve shqiptarë dhe joserbë.

Po ashtu, KMDLNj vlerëson se mbështetja institucionale që Qeveria e Kosovës i ka dhënë ZRRE-së e bën atë bashkëpërgjegjëse për këtë situatë, duke e identifikuar si pjesëmarrëse në varfërimin e skajshëm të qytetarëve.

Në reagim shprehet edhe shqetësim i thellë për blerjen e energjisë elektrike me çmime të larta, kryesisht nga tregtarë serbë dhe grekë, si dhe për dyshimet e bazuara për korrupsion që përfshijnë ambasadorin Martin Berishaj dhe ministren kujdestare Artane Rizvanolli.

“Këto praktika ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët fundorë. Licencimi i operatorëve për tregti me energji elektrike në baza nepotiste dhe politike, përfshirë persona të afërt me Kryeministrin kujdestar, nxit dyshime serioze për një korrupsion institucional të mirëplanifikuar, i cili synon përfitime të kundërligjshme në dëm të qytetarit dhe të shtetit”, thuhet më tej në reagim.

Veçanërisht alarmante, sipas KMDLNj-së, është dhënia e monopolit të tenderëve për shitblerje të energjisë elektrike një personi me emrin Vuk Hamović, shtetas i Serbisë, i biri i ish-kreut të ushtrisë serbe në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, çka, sipas tyre, përbën rrezik serioz jo vetëm ekonomik, por edhe për sigurinë kombëtare të Kosovës.

Në këtë kontekst, KMDLNj i bën thirrje Prokurorisë së Kosovës që të hetojë: punën e ZRRE-së që nga fillimi i veprimtarisë së saj; dhënien e licencës monopolizuese për Vuk Hamovićin; licencimin e operatorëve të tregtisë së energjisë në baza nepotiste dhe politike; vendosjet dhe largimet nga puna për shkaqe politike; si dhe të gjitha kontratat për blerje dhe shitje të energjisë elektrike.

Në fund, KMDLNj paralajmëron se ZRRE ka njoftuar se në muajin mars 2026 do të shqyrtojë kërkesën e operatorëve për rritje të re të çmimit të rrymës, gjë që, sipas organizatës, do të përkeqësonte edhe më tej gjendjen ekonomike të shumicës së familjeve kosovare. Rritja e çmimit të energjisë, sipas reagimit, do të shkaktojë pashmangshëm rritje të çmimeve të të gjithë artikujve dhe shërbimeve, andaj qytetarët ftohen ta kundërshtojnë këtë situatë, pavarësisht se cila qeveri është në pushtet.