Policia në bashkëpunim me OSBE-në certifikon 18 instruktorë si ekspert për armë zjarri

25.12.2025

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Organizatat për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka certifikuar 18 instruktorë të saj si ekspertë për armë zjarri, pas përfundimit të trajnimit të avancuar “Trajnimi i trajnerëve për instruktorë të armëve të zjarrit”.

Trajnimi u zhvillua gjatë periudhës 08–19 dhjetor 2025 dhe synonte ngritjen e cilësisë së mësimdhënies në trajnimet policore përmes aplikimit të teknikave dhe taktikave bashkëkohore. Ky hap shënon krijimin e një kuadri profesional të nivelit të lartë, duke arritur standardet më të avancuara të kompetencës për instruktorë të armëve të zjarrit.

Policia e Kosovës thekson se ky avancim i kapaciteteve profesionale do të shërbejë si bazë e qëndrueshme për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale.

Ushtruesi i detyrës së Policisë së Kosovës ka theksuar se Policia do të vazhdojë zgjerimin e trajnimeve dhe përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, duke aplikuar praktikat dhe standardet më të larta profesionale ndërkombëtare, në përputhje me dokumentet strategjike, rregulloret dhe udhëzimet përkatëse.

Ky aktivitet tregon përkushtimin e Policisë së Kosovës për zhvillimin profesional të personelit, rritjen e sigurisë publike dhe avancimin e kapaciteteve në fushën e përdorimit të armëve të zjarrit.