Pamje shqetësuese – Mbetje kafshësh hidhen në Qendrën Zejtare të Suharekës, qytetarët kërkojnë intervenim urgjent
Qyteti i Suharekës njihet si një ndër qytetet më të pastra në Kosovë, falë përkushtimit dhe punës së pandërprerë të punëtorëve të Eko-Theranda, të cilët kujdesen çdo ditë për një ambient sa më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë qytetarët.
Megjithatë, pavarësisht këtij angazhimi institucional, ka ende qytetarë të papërgjegjshëm që me veprimet e tyre ndotin mjedisin. Një rast i tillë është raportuar mëngjesin e së enjtes nga një qytetar, i cili ka njoftuar redaksinë e SuharekaOnline për një situatë shqetësuese në qendër të qytetit.

Sipas tij, persona ende të paidentifikuar kanë hedhur mbetje të organeve të një kafshe (lope) pranë disa koshave të mbeturinave në Qendrën Zejtare, përballë objektit të Komunës së Suharekës. Qytetari thekson se këto mbetje kundërmojnë një erë shumë të rëndë, duke ndotur ambientin dhe duke shkaktuar vështirësi serioze për banorët dhe bizneset përreth.

Po ashtu, ai shpreh shqetësim se pranë këtyre mbetjeve janë mbledhur edhe qen endacakë, gjë që paraqet rrezik potencial për kalimtarët e rastit, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit.
Në këtë drejtim, qytetarët apelojnë për një intervenim të menjëhershëm nga organet kompetente për largimin e mbetjeve dhe pastrimin e zonës, si dhe kërkojnë identifikimin dhe ndëshkimin e personit apo personave përgjegjës që kanë hedhur mbeturinat në një vend që nuk i përket këtij qëllimi.
Raste të tilla, sipas tyre, dëmtojnë imazhin e qytetit dhe rrezikojnë shëndetin publik, andaj kërkohet përgjegjësi dhe vetëdije më e madhe qytetare për ruajtjen e mjedisit.