Zjarr i fuqishëm në Mushtisht – Digjet depo e materialit ndërtimor, dëmet mbi 30 mijë euro
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së shtunës në fshatin Mushtisht të komunës së Suharekës.
Rreth orës 02:00, një depo e materialit ndërtimor, e specializuar për hidroizolim, është përfshirë nga flakët e mëdha.

Sipas informacioneve nga pronarët e biznesit “Hidroizolim Shala”, zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por fatmirësisht nuk ka pasur lëndime në njerëz.

Menjëherë pas sinjalizimit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekipi i zjarrfikësve dhe njësite e Policisë së Kosovës. Megjithë ndërhyrjen e shpejtë, natyra e materialit (hidroizolues) ka bërë që zjarri të përhapet me shpejtësi.
“Vlera e dëmit llogaritet të jetë mbi 30 mijë euro,” kanë bërë të ditur pronarët, duke theksuar humbjet e mëdha në mall dhe infrastrukturë.

Policia e Kosovës ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të këtij incidenti. Deri më tani nuk dihen shkaqet që çuan në shpërthimin e zjarrit, nëse ka qenë një defekt elektrik apo faktorë të tjerë.
Situata aktualisht është nën kontroll, ndërsa pritet një raport zyrtar nga ekspertët e zjarrit për të përcaktuar burimin e flakëve./Urgjent/