Ligji për çmimin e barnave, kryetari i OFK-ës: Ideja është menduar mirë, por çmimet nuk janë ulur
Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi, ka deklaruar se gjendja me listën esenciale të barnave në sistemin publik shëndetësor është e pakënaqshme, duke theksuar se pavarësisht rritjes së buxhetit të qeverisë, mungesat e barnave në SHSKUK dhe spitalet rajonale janë rritur ndjeshëm.
Bytyqi thotë se mungesat e barnave kanë shënuar rritje mbi 200 për qind krahasuar me vitet paraprake, duke e cilësuar këtë situatë si alarmante dhe problem serioz që kërkon adresim institucional.
“Gjendja në sistemin publik shëndetësor me listën esenciale apo me furnizim nuk është e kënaqshme. Arsyet duhet t’i pyesni ata, por përkundër se buxheti i qeverisë ka qenë 100 për qind më shumë në raport me para tri viteve, mungesat në SHSKUK edhe në spitalet rajonale kanë qenë mbi 200 për qind. Është një matematikë jo fort e kënaqshme në këtë aspekt, sepse të kesh shumë më shumë buxhet edhe të kesh shumë më shumë mungesa, diku është një problem i madh të cilin duhet dikush ta adresojë dhe ta zgjidhë këtë problem”, tha ai.
Sa i përket Ligjit për unifikimin e çmimeve të barnave, Bytyqi vlerësoi se ideja ka qenë e menduar mirë, por zbatimi sipas tij nuk ka prodhuar rezultatet e pritura, pasi çmimet në përgjithësi nuk janë ulur.
“Mendoj se me aplikimin e ligjit për unifikimin e çmimeve është menduar dhe mirë që është menduar, por nga e thëna në të bërë qëndron një mal i tërë. Ka pasur tendenca ndoshta, por jo mirë të menduara, sepse çmimet, ne jemi në komunikim të përditshëm me kolegë, nuk janë zvogëluar. Ka një gamë të caktuar të barnave që janë zvogëluar, por në përgjithësi çmimet janë aty-aty, ose mos me thënë edhe diku edhe janë rritur goxha shumë”, tha ai.
Ai shtoi se si pasojë e këtij ligji ka pasur ankesa të shumta për ndryshime të shpeshta të çmimeve, çka sipas tij ka krijuar barrë shtesë për farmacistët, të cilët përballen drejtpërdrejt me pakënaqësitë e qytetarëve./EO/