Rikthehen shërbimet postare në Samadrexhë pas reagimit të banorëve
Pas reagimeve dhe kundërshtimeve të banorëve të fshatit Samadrexhë, në Komunën e Suharekës, lidhur me vendimin për mbylljen e Postës, është bërë e ditur se shërbimet postare do të rikthehen nga nesër, e premte, më 19 dhjetor 2025.
Posta e fshatit kishte qëndruar e mbyllur për më shumë se dy javë, gjë që kishte shkaktuar pakënaqësi të madhe te banorët, të cilët e konsideronin këtë vendim si të dëmshëm për komunitetin, veçanërisht për të moshuarit dhe qytetarët që varen nga shërbimet postare.

Sipas njoftimit të publikuar nga faqja Fshati Samadrexhë, veturat e Postës kanë ardhur sot në fshat për të rregulluar, siç është thënë, disa probleme teknike, ndërsa nga dita e nesërme shërbimet postare do të rikthehen në funksion të plotë.
“Ky është një lajm i mirë për fshatin tonë. Faleminderit të gjithëve që reaguan në mënyrë pozitive dhe konstruktive”, thuhet në njoftimin e shpërndarë.
Rikthimi i shërbimeve postare shihet si rezultat i reagimit të komunitetit lokal dhe angazhimit qytetar për ruajtjen e shërbimeve publike në zonat rurale.