Mbyllet Posta në Samadrexhë – Banorët kundërshtojnë vendimin

18.12.2025

Banorët e fshatit Samadrexhë kanë shprehur pakënaqësi të thellë ndaj vendimit për mbylljen e Postës, duke e cilësuar atë si të papranueshëm dhe të dëmshëm për komunitetin lokal.

Sipas tyre, ky vendim i lë qytetarët pa një shërbim bazë publik, të domosdoshëm për jetën e përditshme.

Ata theksojnë se mbyllja e Postës prek më së shumti të moshuarit dhe qytetarët që nuk kanë mundësi apo njohuri për të përdorur alternativa digjitale për kryerjen e pagesave dhe shërbimeve të ndryshme administrative.

“Institucionet publike kanë për obligim të jenë më afër qytetarit, jo të tërhiqen prej tij. Një fshat i madh si Samadraxha nuk meriton braktisje, por shërbime dinjitoze”, thuhet në reagimin e banorëve.

Sipas komunitetit lokal, Posta ka qenë një pikë kyçe shërbimi për banorët e fshatit dhe mbyllja e saj rrit vështirësitë, sidomos për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë. Ata u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të rishqyrtojnë vendimin dhe të sigurojnë vazhdimësinë e shërbimeve postare në Samadraxhë.

Banorët shpresojnë se zëri i tyre do të dëgjohet dhe se autoritetet do të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar shërbime publike të barabarta dhe të qasshme për të gjithë qytetarët.