313 fëmijë nga familjet në asistencë sociale përfitojnë nga Programi i Kuponëve për edukimin e hershëm
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se ka përfunduar procesi i përzgjedhjes së përfituesve të Programit të Kuponëve për fëmijët e familjeve përfituese të Skemës së Asistencës Sociale. Sipas njoftimit zyrtar, në këtë fazë të zbatimit të programit janë përzgjedhur gjithsej 313 fëmijë, të cilët do të përfitojnë mbështetje për ndjekjen […]
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se ka përfunduar procesi i përzgjedhjes së përfituesve të Programit të Kuponëve për fëmijët e familjeve përfituese të Skemës së Asistencës Sociale.
Sipas njoftimit zyrtar, në këtë fazë të zbatimit të programit janë përzgjedhur gjithsej 313 fëmijë, të cilët do të përfitojnë mbështetje për ndjekjen e institucioneve private të licencuara të edukimit dhe kujdesit të fëmijërisë së hershme. Programi parasheh gjithashtu mbulimin e shpenzimeve të transportit, në rastet kur plotësohen kriteret e përcaktuara.

MASHTI bën të ditur se përzgjedhja e përfituesve është realizuar përmes një sistemi të automatizuar të rastësishëm, në përputhje me Udhëzuesin e Programit. Ky proces, sipas ministrisë, garanton transparencë dhe paanshmëri për të gjithë aplikuesit. Pas përzgjedhjes automatike, Komisioni për Vlerësimin e Aplikimeve ka përfunduar verifikimin e dokumentacionit dhe të dhënave të dorëzuara nga familjet aplikuese.
Familjet që kanë aplikuar për këtë program do të njoftohen individualisht përmes platformës e-Kosova. Të gjitha familjet do të pranojnë SMS njoftues, ndërsa vetëm familjet përfituese do të marrin dokumentin zyrtar të kuponit në llogaritë e tyre në platformën e-Kosova.
Nga MASHTI theksojnë se familjet që kanë ankesa ose paqartësi lidhur me vendimin për përfitim nga Programi i Kuponëve kanë të drejtë t’i paraqesin ato pranë Komisionit të Ankesave të ministrisë. Ankesat mund të dorëzohen përmes platformës e-Kosova ose me email në adresën [email protected], brenda afatit ligjor prej 15 ditësh nga data e pranimit të vendimit fillestar.
Ky program synon të rrisë përfshirjen e fëmijëve nga familjet me gjendje të rënduar socio-ekonomike në edukimin e hershëm, duke kontribuar në zhvillimin e tyre të barabartë dhe në uljen e pabarazive në arsim.