Nga OVL-UÇK paralajmërojnë ish-luftëtarët: Mos merrni pjesë në protestën e Shkupit, mund të arrestoheni

12.12.2025

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka njoftuar se pjesëmarrja në ngjarjen e paralajmëruar për nesër në Shkup është plotësisht vullnetare, duke theksuar se deri tani nuk janë siguruar garanci për lirinë e lëvizjes mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për ish-luftëtarët që figurojnë në listat e Europolit.

Në një komunikatë për media, OVL-UÇK ka bërë të ditur se situata aktuale kërkon kujdes dhe mirëkuptim nga ish-luftëtarët.

“Shkuarja është vullnetare dhe besojmë se do të kemi mirëkuptimin e bashkëluftëtarëve tanë për rrethanat e krijuara. Kjo ngjarje është një mesazh për bashkësinë ndërkombëtare dhe presim mirëkuptimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, e cila është anëtare e NATO-s”, thuhet në reagim.

Organizata ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë për kujdes të shtuar:

“Ne ju preferojmë luftëtarëve tanë të UÇK-së që mos me marr atë rrugë, sepse nuk kemi garanci. Edhe sikur ta kërkojmë, është e pamundur që shteti i Maqedonisë së Veriut të japë garanci kur je në listat e Europolit.
Automatikisht, kur futet letërnjoftimi në databazën e policisë kufitare dhe del se je i kërkuar, polici ka detyrim të të arrestojë. Prandaj u themi bashkëluftëtarëve tanë të mos marrin pjesë. Ka plot qytetarë që do marrin pjesë.”

OVL-UÇK thekson se protesta e nesërme është paqësore dhe ka për qëllim shprehjen e pakënaqësisë me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Sipas organizatës, ngjarjes në Shkup pritet t’i bashkohen edhe qytetarë nga Prishtina dhe Tirana, të cilët do të marrin pjesë si mbështetje ndaj kërkesave të veteranëve.