Ekstradohet nga Gjermania në Kosovë një shtetas i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar
Policia e Kosovës ka njoftuar sot se ka realizuar me sukses ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Gjermania drejt Kosovës, pas një operacioni të koordinuar mes institucioneve të sigurisë vendore dhe atyre gjermane.
Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi është kryer më 10 dhjetor 2025 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor – ILECU, në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë dhe njësitet relevante të Policisë së Kosovës.
I dyshuari ishte arrestuar më herët nga autoritetet gjermane, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës. Ai ishte i dënuar me një vit burgim dhe kishte shmangur ekzekutimin e dënimit duke u larguar nga vendi.
Pas arritjes në Kosovë, i ekstraduari iu dorëzua njësive policore në rajonin e Pejës për procedurat e mëtejshme ligjore.
Policia ka bërë të ditur se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim parandalimin, hetimin dhe kapjen e personave të përfshirë në veprimtari kriminale, si brenda ashtu edhe jashtë territorit të vendit.