Vdes tragjikisht një punëtor, ra nga lartësia prej 3 metra nga një shtëpi ku po punonte

10.12.2025

Një aksident tragjik ka ndodhur të martën në fshatin Graboc të Pejës, ku një punëtor ka humbur jetën gjatë kryerjes së punimeve në një shtëpi.

Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës përmes raportit të saj 24-orësh.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më 9 dhjetor 2025, rreth orës 10:40, kur viktima – një mashkull kosovar – është rrëzuar nga një lartësi prej rreth tre metrash gjatë punës. Për shkak të lëndimeve të rënda të pësuara, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka vdekur në vendngjarje.

“Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të këtij rasti të rëndë, ndërsa pritet që rezultati i obduksionit të ndihmojë në përcaktimin e detajeve të tjera të ngjarjes.