Ky është Ballkani që duam! – Fitore bindëse 6-1 në Suharekë ndaj KF Prishtinës së Re

06.12.2025

FC Ballkani shkëlqeu në ndeshjen e javës së 16-të në Albi Mall Superligë, duke mundur Prishtinën e Re me rezultatin e thellë 6–1, dhe duke forcuar vendin e parë në tabelë me 29 pikë.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë, dhe e zhbllokoi rezultatin në minutën e 20-të, kur Kryeziu realizoi një supergol nga goditja e lirë. Minuta e 30-të solli dyfishimin e rezultatit nga Hamidi pas një asistimi nga Kryeziu, dhe vetëm një minutë më vonë, Hamidi shënoi përsëri për të çuar rezultatin në 3–0.

Në pjesën e dytë, Kryeziu realizoi golin e katërt pas asistimit të Diene, ndërsa Serebe shënoi dy herë, në minutën e 72 pas një asistimi nga Kryeziu dhe më pas në minutën e 81, duke vulosur rezultatin përfundimtar 6–1.

Me këtë fitore, Ballkani tregoi një dominim të plotë në fushë dhe një shpirt luftarak që i ka bërë tifozët të gëzojnë pafund në tribuna.

Skuadra suharekase do ta mbyllë këtë vit 2025 me ndeshjen e fundit ndaj Prishtinës, sërish në shtëpi, duke synuar ta vazhdojë formën e shkëlqyer dhe rrugën drejt titullit kampion.