LVV publikon marrëveshjen me Guxo, Alternativën dhe PSHDK-në

06.12.2025

Lëvizja VETËVENDOSJE!, së bashku me Guxo, Alternativa dhe PDSHK, kanë nënshkruar një marrëveshje koalicioni që synon forcimin e institucioneve, thellimin e demokracisë dhe garantimin e një qeverisjeje transparente dhe me integritet, bëjnë të ditur nga VV.

Sipas njoftimit zyrtar, ky bashkim politik hap një vizion të përbashkët dhe përcakton prioritetet që do të udhëheqin vendin në fazën e ardhshme të qeverisjes. Marrëveshja reflekton angazhimin e subjekteve për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të avancuar proceset demokratike në vend.

“VETËVENDOSJE!, Guxo, Alternativa dhe PDSHK janë subjekte politike që, ndër vite, kanë kontribuar në mbrojtjen e interesit publik, avancimin e barazisë qytetare dhe ruajtjen e karakterit republikan të shtetit. Secila prej tyre sjell vlera të qëndrueshme politike, përvojë të akumuluar dhe përgjegjësi të dëshmuar në angazhimin e tyre publik,” thuhet në njoftim.

Ky koalicion premton një qasje të bashkuar dhe të koordinuar në drejtimin e vendit, duke vendosur integritetin, transparencën dhe shërbimin ndaj qytetarëve si prioritet kryesor të qeverisjes së ardhshme.