Në 81-vjetorin e lindjes së Presidentit Rugova, djali i tij, Ukë Rugova rikthehet në LDK
Në 81-vjetorin e lindjes së Presidentit historik Ibrahim Rugova, familja e tij dhe liderë politikë kanë rikujtuar trashëgiminë e tij të paharrueshme, duke njoftuar një vendim të veçantë për garën zgjedhore të radhës.
Ukë Ibrahim Rugova, djali i Presidentit, do të jetë pjesë e listës zgjedhore, një nderim për kontributin e familjes dhe vazhdimësinë e vlerave të Rugovës në jetën politike të Kosovës.

Në këtë ditë përkujtimore, përfaqësuesi politik vizitoi zonjën Fana Rugova dhe familjen, ku zyrtarizoi përfshirjen e Ukë Rugovës në garën zgjedhore. Gjatë vizitës, biseda u fokusua edhe te rruga e nisur tre dekada më parë nga Presidenti Rugova – një rrugë e mbushur me sakrifica, vendosmëri dhe paqe, e cila orientoi Kosovën drejt Perëndimit dhe demokracisë.
“Ukë, të priftë e mbara në këtë garë”, theksohet në njoftim, duke shprehur mbështetje për pjesëmarrjen e tij në procesin demokratik.
Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 dhe konsiderohet arkitekt i lirisë dhe shtetformimit modern shqiptar në Kosovë. Ai nuk ishte vetëm produkt i kohës së vet, por një vizionar që përpara dekadash parashikoi rrugën e shtetit të pavarur. Nga sfondi i vështirë i përndjekjes, humbjes së babait dhe gjyshit, Rugova doli njeri i qetë, i butë dhe i pathyeshëm – një model për shqiptarët në shekullin e fundit.
Me një formim të thellë akademik që përfshinte studimet në Istog, Pejë, Prishtinë dhe Paris nën mbikëqyrjen e Roland Barthes, Rugova e shndërroi dijen në politikë dhe civilizim. Kur lëvizja e vitit 1989 e thirri atë në shërbim të kombit, ai la letërsinë dhe u bë mburojë e popullit shqiptar. Nga ai angazhim lindi LDK-ja dhe rruga e shtetformimit modern shqiptar në Kosovë.
Sot, ideja dhe trashëgimia e Rugovës vazhdojnë të ndikojnë Kosovën. Në momente krize, qytetarët kërkojnë qetësinë e tij; kur humbasin orientimin, referenca e tij perëndimore rikthen drejtimin; dhe kur politika bie në zhurmë, zëri i tij kujton se shteti ndërtohet me dije, argument dhe durim.
“Rugova ka vetëm ditëlindje. Drita e tij nuk fiket; historia e tij nuk harrohet; rruga e tij nuk tjetërsohet”, thuhet në mesazhin përkujtimor.
Trashëgimia e tij – Kosovë euroatlantike, paqe dhe stabilitet, miqësi e përhershme me aleatët, qytetari dhe kulturë politike – është një udhërrëfyes edhe për brezat e rinj.
I paharruar përjetë, President.