Policia pajiset me 41 vetura të reja për patrullim në gjithë vendin
Menaxhmenti i Policisë së Kosovës ka përforcuar kapacitetet e njësive patrulluese duke ndarë 41 vetura zyrtare për stacionet policore në të gjitha drejtoritë rajonale. Ky hap synon rritjen e efikasitetit të punës së policëve patrullues dhe afrimin e tyre ndaj nevojave të qytetarëve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, kolonel Gazmend Hoxha, ka theksuar se përmes pajisjes së njësive patrulluese me automjete të reja, përmbushja e objektivave të Planit Zhvillimor Strategjik dhe qasja proaktive ndaj qytetarëve bëhet më e lehtë dhe më e shpejtë.

Nga 41 vetura të ndara, 35 janë limuzina, përfshirë edhe modele hibride, ndërsa 6 janë xhipa që do të mbulojnë zonat patrulluese më të largëta.

Ky investim vjen si pjesë e përkushtimit të Policisë së Kosovës për forcimin e bashkëpunimit dhe komunikimit me qytetarët, për reagim të shpejtë ndaj kërkesave dhe nevojave të tyre, si dhe për rritjen e besueshmërisë dhe transparencës institucionale.

Menaxhmenti i Policisë shprehet se përforcimi me automjete zyrtare është një hap konkret për të siguruar që policët patrullues të jenë gjithmonë pranë qytetarëve dhe të përgjigjen me efikasitet ndaj situatave në terren.