Koalicioni i radhës për zgjedhje – LDK dhe PD bashkohen për 28 dhjetor
Kandidatë të Partisë së Drejtësisë do të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Siç ka njoftuar PD-ja të shtunën, kryesia e partisë ka miratuar marrëveshjen, të cilën e ka konsideruar si “zgjidhjen më të përshtatshme për përfaqësimin dinjitoz të vlerave, programit dhe përvojës shtetëndërtuese të Partisë së Drejtësisë në këto zgjedhje, duke siguruar qasje të përbashkët drejt përgjegjësisë publike dhe qeverisjes qendrore cilësore”.
Detajet e bashkëpunimit pritet të finalizohen gjatë ditëve në vijim, ndërsa njoftohet se marrëveshja do të bëhet publike gjatë javës së ardhshme.
“Ky vendim reflekton orientimin tonë të qartë drejt unitetit e bashkëpunimit politik, stabilitetit institucional dhe rritjes së mundësive për përfaqësim të vlerave të mirëfillta qytetare me profesionalizëm dhe integritet”, thuhet në njoftimin e PD-së.
Partia e Drejtësisë udhëhiqet nga Ferid Agani, i cili më parë ka shërbyer si ministër i Shëndetësisë. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, PD-ja kishte garuar si pjesë e Koalicionit për Familjen.