Zhduket një vajzë në Malishevë, policia nis hetimet

28.11.2025

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në Malishevë është raportuar zhdukja e një vajze të mitur, ndërsa rasti është paraqitur zyrtarisht më 25 nëntor.

Sipas raportit të Policisë, ankuesja – një grua kosovare – ka njoftuar autoritetet se vajza e saj e mitur ka dalë nga banesa dhe që prej asaj kohe nuk dihet vendndodhja e saj.

Në njoftim thuhet se familja ka tentuar ta kontaktojë dhe ta gjejë vetë fillimisht, por pasi nuk ka pasur asnjë informacion për të, ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.

“Ankuesja femër kosovare, ka njoftuar se vajza e saj e mitur, ka dalë nga banesa dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj”, thuhet në raportin zyrtar të policisë.

Autoritetet policore kanë konfirmuar se rasti është duke u hetuar, ndërsa njësitet relevante janë angazhuar në vazhdimësi për ta gjetur vajzën dhe për të sqaruar të gjitha rrethanat e zhdukjes së saj.