Nuk e ndal as shiu, Remzi Bajselmani ‘hyp’ mbi kulmin e shumë përfolur të gjimnazit “Jeta e Re”

26.11.2025

Tash e disa javë, gjimnazi “Jeta e Re” në Suharekë është bërë temë e debateve dhe reagimeve nga nxënës, mësimdhënës dhe partitë politike lokale, për shkak të gjendjes së kulmit të objektit.

Si pasojë e rregullimit jo të përfunduar, uji i reshjeve atmosferike ka depërtuar në muret e brendshme të objektit, duke shkaktuar dëmtime dhe shqetësim tek komuniteti shkollor.

Redaksia e SuharekaOnline ka dërguar vazhdimisht pyetje në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Suharekë lidhur me situatën, ku është konfirmuar se autoritetet janë të njoftuara për gjendjen e objektit dhe presin që rregullimi i kulmit të përfundojë sa më shpejt.

Drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani, ka deklaruar se kompania përgjegjëse për rregullimin e kulmit do të angazhohet gjithashtu për riparimin e mureve të dëmtuara nga uji i shiut. Ai rikujtoi se ky projekt i ka kushtuar komunës së Suharekës rreth 200 mijë euro.

Sot, të mërkurën, drejtori Bajselmani ka vizituar vendin e punimeve, madje edhe gjatë reshjeve të shiut, për të parë nga afër progresin e punimeve.

Fotografitë e shpërndara nga ai tregojnë kulmin e gjimnazit gjatë intervenimit të kompanisë, ndërsa drejtori qëndronte mbi terren për të monitoruar situatën.

Ky veprim nënvizon përkushtimin e autoriteteve lokale për përfundimin sa më të shpejtë të projektit dhe sigurimin e kushteve të sigurta për nxënësit dhe stafin e gjimnazit “Jeta e Re”.