Tri vajza të mitura rrahin një tjetër, ndalohen nga policia – viktima pëson lëndime trupore
Mosmarrëveshjet që shpesh dalin të jenë banale po kthehen në mollë sherri e përleshjesh mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallë eskalojnë edhe në rrahje fizike, për çka kërkohet ndërhyrja e Policisë.
Një incident i tillë është regjistruar në stacionin e autobusëve në Drenas, ku një vajzë e mitur ka pësuar lëndime trupore si pasojë e një përleshjeje fizike.
Ngjarja ka ndodhur më 24.11.2025 rreth orës 12:30, ndërsa sipas të dhënave të Sigurisë, të dyshuarat me inicialet D.E, F.B dhe E.E janë përfshirë në rrahjen me viktimën e mitur Rr.C.
Pamjet nga incidenti kanë qarkulluar në rrjetet sociale, duke ndihmuar në identifikimin e të dyshuarave. Pas veprimeve operativo-hetimore, më 25.11.2025 ato janë lokalizuar dhe intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale.
Në koordinim me Prokurorin kujdestar për të mitur, rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa të dyshuarat janë ndaluar dhe dërguar në mbajtje për 24 orë.
Hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit, ndërsa autoritetet theksojnë rëndësinë e ndërhyrjes së hershme për të parandaluar konfliktet mes të rinjve./Sinjali/