Albin Kurti: Dhuna në familje nuk është problem privat, por krim
Në nisjen e fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi se dhuna në familje nuk duhet parë si çështje private, por si krim që cenon sigurinë publike, demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
“Sonte jemi këtu për ta shënuar fillimin e 16 ditëve të aktivizimit, por edhe për ta vazhduar mbajtjen e premtimit të përditshëm, premtimin se në Republikën e Kosovës, asnjëra, askush nuk do të jetë vetëm përballë dhunës.
Secila grua që ndien frikë gjatë natës, secili fëmijë që ndien britma në vend të qetësisë, është alarm për ne, dhe ky alarm nuk pret. Shteti ka detyrim të mbrojë, të garantojë siguri e qetësi, sikurse shoqëria ka detyrim të mos heshtë. Ne nuk mund të ndërtojmë të ardhmen mbi traumat që nuk janë shëruar, as mbi një kulturë që e relativizon dhunën”, tha Kurti.
Kreu në detyrë i qeverisë theksoi se lufta kundër dhunës me bazë gjinore nuk është vetëm çështje e grave. “Para së gjithash e mbi të gjitha duhet të emancipojmë burrat, djemtë e rinj. Është çështje e mbarë shoqërisë, e Republikës, e së bashku mund, duhet e do ta ndërtojmë një Republikë ku drejtësia triumfon e pabarazia bie”, deklaroi Kurti.
Fushata “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” organizohet çdo vit dhe ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin dhe të nxisë reagim të shoqërisë për të adresuar dhunën gjinore, duke promovuar kulturën e respektit dhe mbrojtjen e viktimave.