Kryetar apo deputet? – Bali Muharremaj në dilemë: “Nuk kam vendos ende”
Partitë politike, krahas diskutimeve për koalicionet parazgjedhore, kanë nisur tashmë të shqyrtojnë emrat e mundshëm për kandidatët për deputetë dhe përbërjen e listave për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Ndryshe nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ku shumë parti politike kishin përfshirë edhe kryetarë komunash në listat e deputetëve, kësaj radhe duket se situata do të jetë ndryshe.
Disa nga kryetarët aktualë të komunave kanë konfirmuar se nuk do të jenë pjesë e garës për deputet, duke e lënë të paqartë nëse trendi i mëparshëm do të përsëritet.
Në këtë kontekst, është përfolur edhe emri i kryetarit të Suharekës, Bali Muharremaj, për një kandidim të mundshëm nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Megjithatë, ai thotë se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
Muharremaj u shpreh se është herët të flitet për këtë çështje dhe se vendimi, kurdo që të merret, do të jetë personal.
“Nuk kam vendos ende nëse do të jem kandidat i AAK për deputet apo jo, është herët me folë. Nuk vendos qendra për mua, unë vendosi për vete, por akoma nuk kam vendosur”, deklaroi ai.
Me partitë që po kristalizojnë listat dhe me disa kryetarë komunash që tashmë kanë hequr dorë nga gara për Kuvend, mbetet të shihet nëse Muharremaj do t’u bashkohet atyre, apo do të marrë një vendim ndryshe në ditët në vijim.