22 nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Sot më 22 nëntor, shënohet dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe i cili u unifikua 112 vjet më parë në Kongresin e Manastirit, kjo ditë përkujtohet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit.
Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908.
Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.
Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.
Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet. Kongresi njësoi alfabetin me 36 shkronja latine, që e përdorim edhe sot, duke çuar drejt bashkimit gjuhësor kombëtar të gjithë shqiptarët.