KQZ sot certifikon rezultatet e balotazhit në Suharekë dhe 17 komuna të tjera

21.11.2025

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se KQZ-ja do të zhvillojë sot mbledhjen e radhës, ku pritet të miratohen disa nga rezultatet zgjedhore të mbetura në procedurë.

Sipas Elezit, KQZ-ja është gati të procedojë me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 12 tetorit për Kuvendet Komunale, për ato komuna ku tashmë janë finalizuar të gjitha ankesat nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykata Supreme.

“Në mbledhjen e së premtes do të shqyrtohet dhe pritet të votohet certifikimi i rezultateve për Kuvendet Komunale, për komunat ku janë finalizuar të gjitha procedurat e ankesave”, tha Elezi për RTKLive.

Po ashtu, në rend dite është edhe certifikimi i rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, të mbajtur më 9 nëntor, ku qytetarët votuan në 18 komuna që nuk arritën të zgjedhin kryetarin në raundin e parë.

“Gjithashtu, KQZ-ja do të procedojë me certifikimin e rezultateve të raundit të dytë të mbajtur më 9 nëntor, për 18 komunat ku është zhvilluar gara për kryetar komune”, shtoi Elezi.

Në raundin e parë u përmbyll procesi në 20 komuna, ndërsa 18 të tjera shkuan në balotazh më 9 nëntor. Vendimet e sotme të KQZ-së pritet t’i hapin rrugë finalizimit të plotë të rezultateve të zgjedhjeve lokale.