Kurti mirëpret caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme nga Presidentja Osmani

20.11.2025

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vendimit të Presidentes Vjosa Osmani për të caktuar datën 28 dhjetor 2025 si ditën e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në një reagim publik, Kurti ka theksuar se dita e zgjedhjeve përbën një festë të demokracisë, që bëhet edhe më madhështore kur ka një pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve me të drejtë vote. Ai shtoi se në të njëjtën kohë është e rëndësishme që institucionet shtetërore të kenë kohën e nevojshme për të përgatitur procesin zgjedhor në mënyrë të rregullt, të drejtë dhe demokratike.

“Ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presin,” tha Kurti, duke theksuar rëndësinë e organizimit të procesit zgjedhor në përputhje me standardet demokratike.

Reagimi i kryeministrit vjen pas vendimit të Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe caktimin e datës së zgjedhjeve, duke synuar që procesi të zhvillohet në mënyrë transparente dhe me pjesëmarrje sa më të gjerë qytetare.