Pas dështimit të formimit të qeverisë, PDK dhe LDK kërkojnë zgjedhje të jashtëzakonshme
Pas dështimit të formimit të qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje, ku mandatar ishte Glauk Konjufca, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kritikuar ashpër VV-në, duke e akuzuar për “tendencë për kapjen e institucioneve” dhe keqpërdorim të parasë publike.
Zemaj tha se paralajmëri për këtë dështim kishte dhënë vetë LDK-ja, ndërsa sot u shfaq, siç e quajti ai, “shfaqja teatrale në fat të keq të Kosovës nga VV’ja”. Ai u shpreh se loja me numra gjatë tetë muajve dhe dështimi i formimit të qeverisë ishte paralajmërim për bllokadën e institucioneve dhe keqpërdorimin e pushtetit.
“Më në fund u pa edhe shfaqja teatrale në fat të keq të Kosovës nga VV’ja. Loja me numra këto 8 muaj dhe dështimi për formimin e qeverisë së re, ishte paralajmërim i joni dhe shpërfaqi tendencën e VV’së për kapjen e institucioneve, keqpërdorimin e parasë publike. Kuvendi sot nuk miratoi edhe mandatarin e dytë, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, tha Zemaj.
Ai i bëri thirrje presidentes Vjosa Osmani që të respektojë afatet kushtetuese dhe të mos lejojë ndërhyrje nga askush në vendimmarrjen e saj. Sipas Zemajt, LVV-ja ka deklaruar që disponon shumicën parlamentare që nga përfundimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit, por kjo shumicë nuk u konfirmua.
“Mandatimi i Konjufcës ishte sa për ‘të kaluar 15 ditë’. Me votimin kundër të mandatarit të dytë, edhe pse për neve ishte mandatar vetëm për këtë periudhë, mendoj se ka përfunduar gjithçka”, shtoi deputeti i LDK-së.
Edhe deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, i bëri thirrje presidentes që të shpallë sa më shpejt datën e zgjedhjeve të reja. “Zgjedhjet të shpallen menjëherë, sot apo nesër”, tha ai, duke theksuar se koha ideale për mbajtjen e tyre është “e diela e parë brenda 30-ditëshit, afatit kushtetues”.
Krasniqi akuzoi LVV-në për humbjen e 9 muajve për shkak të bllokadave, vonesave dhe taktizimeve, duke e bërë përgjegjëse për situatën aktuale politike në vend.