Gjermani, arrestohen dy të rinj shqiptarë – paguanin me para të falsifikuara në një klub nate në Mynih

16.11.2025

Dy të rinj shqiptarë janë arrestuar në Mynih, pasi dyshohen se kanë përdorur para të falsifikuara në një klub nate. Rasti ndodhi natën e së dielës, më 9 nëntor, në Barin 089 në Maximiliansplatz, ku stafi i lokalit vuri re sjellje të dyshimtë nga dy klientët.

Sipas policisë së Mynihut, dy të rinjtë, një 22-vjeçar gjermano-kosovar dhe një 24-vjeçar me shtetësi gjermano-shqiptare, kishin paguar me kartëmonedha false prej 50 eurosh, duke ngritur dyshime te punonjësit e lokalit, të cilët menjëherë njoftuan autoritetet, raporton urgjent.com.

Policia mbërriti pak pas mesnatës dhe i gjeti të dy të dyshuarit ende në vendngjarje. Gjatë kontrollit të parë, tek ta u zbuluan kartëmonedha të tjera të falsifikuara, të cilat u sekuestruan menjëherë.

Hetimet vazhduan edhe në banesën e 24-vjeçarit, ku policia gjeti dhe sekuestroi 5,000 euro të tjera në para të falsifikuara. Sipas autoriteteve, dyshja “kishin paguar vazhdimisht me kartëmonedha false” në klubin e natës.

Të dy të dyshuarit po hetohen për veprën penale “qarkullim parash të falsifikuara”, ndërsa policia e stacionit 65 në Mynih ka marrë përsipër rastin. Sipas raportit, asnjëri prej tyre nuk ishte më parë i evidentuar nga organet e rendit.

Hetimet janë duke vazhduar për të zbuluar origjinën e parave të falsifikuara dhe mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në këtë aktivitet të paligjshëm.