Pas Bedri Hamzës edhe Enver Hoxhaj shpall kandidaturën për kryetar të PDK-së, kërkon garë fer

15.11.2025

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së të parit të PDK-së nuk duhet parë si një procedurë formale, por si një vendim thellësisht politik që përcakton të ardhmen e partisë.

Në një intervistë në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Hoxhaj theksoi se angazhimi i tij është që brenda PDK-së të ketë garë të vërtetë dhe hapësirë për kandidatë të rinj.

Sipas tij, PDK duhet ta tejkalojë ngërçin aktual politik përmes një procesi demokratik dhe transparent, ku secili kandidat – qoftë i vjetër apo i ri – ka mundësinë të provojë veten.

“Në çfarë forme ta kalojmë këtë ngërç politik, janë pritjet që unë i kam prej vetes sime, se çka mund të jap kontribut në një konventë të ardhshme të PDK-së”, u shpreh Hoxhaj.

Ai nënvizoi se zgjedhja e kryetarit nuk është thjeshtë një procedurë teknike, por një moment kyç për një parti që, sipas tij, ka luajtur rol të madh në proceset shtetformuese të Kosovës.

“Zgjedhjen e kryetarit të PDK-së nuk e shoh si një çështje teknike, por si një çështje shumë të rëndësishme politike. Po pres që PDK-ja, si një parti që i ka pri çlirimit të Kosovës… këta njerëz, me të cilët kam folur edhe sot e dje, të hyjnë në dialog”, tha ai.

Hoxhaj shtoi se procesi duhet të jetë inkluziv dhe i hapur për alternativa të reja politike brenda partisë.

“Po angazhohem që të ketë garë. Mund të garojë dikush tjetër i cili nuk është i provuar. Mund të vendosë baza për dikë tjetër, mund të thotë që Bedriu dhe unë nuk jemi më meritorë për këtë punë. Ne vetë ia caktojmë vetes misionin”, deklaroi kandidati për kryetar të PDK-së.

Hoxhaj e përmbylli duke theksuar se misioni i tij është të kontribuojë në orientimin e partisë drejt një qëllimi të qartë politik dhe një procesi të shëndoshë demokratik për zgjedhjen e liderit të ri.

Rikujtojmë se pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga pozita e kryetarit të PDK-së, kandidaturën për këtë pozitë e ka zyrtarizuar edhe Bedri Hamza.