Përplasje mes dy policëve në Prizren, IPK nis hetimet – rekomandon suspendimin e tyre
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë filluar të ndërmarrin veprime fillestare hetimore lidhur me një incident që ka ndodhur në Prizren, ku janë përfshirë dy zyrtarë policorë.
Sipas informacioneve të para, dy zyrtarët dyshohet se janë përfshirë në një mosmarrëveshje ndërmjet tyre, e cila dyshohet të ketë shpërthyer pas një fjalosjeje gjatë orarit të punës.
Në bazë të veprimeve hetimore të deritanishme, IPK ka njoftuar se ka rekomanduar Policisë së Kosovës që të ndërmarrë masën e suspendimit ndaj dy zyrtarëve të përfshirë në incident, të cilët janë pjesë e Stacionit Policor në Prizren.
Hetimet pritet të vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje disiplinore apo vepra penale në këtë ngjarje.