Ish-drejtoresha e Kulturës në Suharekë dhe një zyrtar tjetër akuzohen për keqpërdorim në projektin e lapidarit në Studençan

13.11.2025

Më 4 tetor 2025, SuharekaOnline raportoi se Prokuroria Themelore në Prizren kishte hapur hetimet lidhur me dyshimet për keqpërdorim të fondeve publike në projektin e ndërtimit të lapidarit të dëshmorëve në fshatin Studençan.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka parë redaksia, ishte iniciuar kallëzim penal ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Rasti lidhet me projektin “Ndërtimi i lapidarit në Studençan, Vraniq dhe Dubravë”, me numër prokurimi 624-23-9383-5-2-1, i nënshkruar më 20 tetor 2023 në vlerë prej 49,995 euro. Nga të dhënat hetimore del se ekziston dyshimi se shuma prej 6,900 euro, e planifikuar për lapidarin në Studençan, nuk është investuar fare në terren, pasi lapidari i fshatit ishte ndërtuar më herët nga vetë banorët përmes vetëfinancimit. Në fund të vitit fiskal 2023 figurojnë pagesa për operatorin ekonomik, çka ngriti dyshime për mospërputhje mes punimeve të raportuara dhe atyre reale.

Sipas të njëjtave burime, më 3 prill 2025 Prokuroria kishte ngritur kallëzim penal ndaj dy zyrtarëve komunalë, ndërsa çështja po vazhdonte të shqyrtohej nga organet e drejtësisë.

Ndërkohë, sot më 13 nëntor 2025, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar ngritjen e aktakuzës kundër të pandehurve A.E. dhe L.G., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, nga data 20 tetor 2023 e në vazhdim, të pandehurit, në cilësi të personave zyrtarë, dyshohet se duke shfrytëzuar pozitën e tyre kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk kanë përmbushur detyrat zyrtare në lidhje me projektin e ndërtimit të lapidarëve në Studençan, Vraniq dhe Dubravë.

Prokuroria pretendon se i pandehuri A.E., në rolin e menaxherit të kontratës, ka urdhëruar operatorin ekonomik të ndryshojë projektin dhe të kryejë punë jashtë specifikimeve, duke anashkaluar zyrën e prokurimit dhe autoritetin kontraktues. Ndërsa e pandehura L.G., si mbikëqyrëse e drejtpërdrejtë, ka pranuar këto shkelje duke nënshkruar dokumente me të dhëna të pavërteta për pagesat.

Sipas aktakuzës, zyrtarët kanë konfirmuar si të realizuara punimet në vlerë 41,270 euro dhe 7,377.20 euro për përfundimin e punimeve më 22 dhjetor 2023, edhe pse në terren nuk ishte realizuar asnjë punim për ndërtimin e lapidarit në fshatin Studençan, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.

Prokurori i çështjes ka propozuar që pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, përfshirë edhe dënimin plotësues për ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike.

Burime të SuharekaOnline bëjnë të ditur se në këtë rast bëhet fjalë për ish-drejtoreshën e Kulturës në Komunën e Suharekës, Lorika Gashi, dhe Ahmet Emerllahun.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.