Arrestohet i mituri M.G. i dyshuar për tentim-vrasje

11.11.2025

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të mitur me inicialet M.G., i cili ishte në kërkim për një rast të tentim-vrasjes që kishte ndodhur më 4 nëntor 2025 në rrugën “Mark Sopi” në Prishtinë.

Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për kapjen e të dyshuarit, duke vepruar me vendosmëri dhe përkushtim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

“Policia ka punuar për identifikimin dhe arrestimin e personave që dyshohen për përfshirje në veprimtari kriminale, dokumentimin ligjor të veprimeve të tyre dhe vënien e tyre para drejtësisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pas përfundimit të procedurave të nevojshme hetimore, i mituri i dyshuar është dërguar në qendrën e mbajtjes me vendim të prokurorit të shtetit.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin e tentim-vrasjes po vazhdojnë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.