Kurti prezanton dronet “Skifteri”, që po prodhohen në Gjilan

08.11.2025

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se e ardhmja e industrisë së mbrojtjes dhe zhvillimit të dronëve luftarakë po ndërtohet edhe në Kosovë, duke theksuar se shteti tashmë po shndërrohet në një vend prodhues të teknologjisë moderne ushtarake.

Kurti, gjatë një vizite të zhvilluar sot në Gjilan, bashkë me kryetarin e komunës, Alban Hyseni, ka vizituar kompanitë “Skifteri” dhe “Future Minds Academy”, si dhe projektin MIGA SkyShield MAR, të cilat po punojnë në prodhimin e dronëve ushtarakë dhe civilë.

“Të ardhmen e industrisë së mbrojtjes dhe avancimit të dronëve luftarakë po e ndërtojmë e zhvillojmë edhe në Kosovë. Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon”, – ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, droni kamikaz “K1” arrin shpejtësi maksimale prej 180 km/h dhe fluturon deri në lartësi prej 2 500 metrave, ndërsa modeli “Skifteri” shkon deri në 5 000 metra lartësi, me hapësirë operuese prej 20 kilometrash dhe shpejtësi deri në 270 km/h.

“Made in Gjilan”, përveçse natyrisht “Made in Kosova”, – ka shtuar Kurti, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për ekonominë dhe sigurinë kombëtare.

Kryeministri në detyrë ka rikujtuar se gjatë viteve të fundit, Kosova ka investuar ndjeshëm në pajisje mbrojtëse dhe mjete ajrore pa pilot, duke përfshirë dronët Bayraktar TB-2, Puma dhe së fundmi dronët kamikazë Skydagger, të blerë nga shtetet mike e partnere.

“Tash dronët luftarakë po i prodhojmë edhe vetë. Si qeveri, do ta mbështesim ngritjen e kapaciteteve prodhuese në këtë fushë, duke investuar njëkohësisht në mbrojtje e siguri”, – përfundoi Kurti.

Industria e mbrojtjes në Kosovë po hyn në një fazë të re zhvillimi, me fokus tek inovacioni, prodhimi vendas dhe bashkëpunimi mes sektorit publik e privat, ndërsa Gjilani po kthehet në një qendër të re të teknologjisë ushtarake “Made in Kosova”.