Muharremaj reagon pas akuzave: Suhareka është tjetër nivel, imazhin e saj askush s’mund ta njollos
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka reaguar publikisht pas, siç tha ai, shpifjeve dhe lajmeve të rreme që po qarkullojnë ndaj tij dhe familjes së tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Muharremaj theksoi se Suhareka është në një tjetër nivel dhe askush nuk mund ta njollos imazhin e saj, duke paralajmëruar se të gjitha pretendimet dhe akuzat ndaj tij do të trajtohen në mënyrë ligjore.
“Të gjitha kërcënimet, shpifjet, lajmet e rreme të cilat po bëhen ndaj meje dhe familjes time, do të kalojnë nëpër organet e drejtësisë dhe faktet do të ballafaqohen në gjykatë pas zgjedhjeve,” – ka shkruar Muharremaj.
Ai shtoi se familja e tij ka integritet moral, të cilin do ta mbrojë përmes mjeteve ligjore, duke shprehur besim në institucionet e vendit dhe në autoritetin e ligjit.
Në reagimin e tij, Muharremaj shprehu keqardhje që, siç tha, “po detyrohen edhe shoqatat të reagojnë publikisht ndaj shpifjeve”, duke bërë thirrje për ruajtje të qetësisë dhe maturi.

“Qytetarë të nderuar, nuk kemi nevojë ta ndjejmë asnjë presion. Ju falënderoj për mesazhet dhe mbështetjen morale. Ajo për të cilën duhet të punojmë është e ardhmja e vendit dhe e familjeve tona,” – ka shkruar ai.
Në fund, kryetari i Suharekës u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje, duke theksuar se “përgjigjja më meritore për ta është vota”.