Një nxënësi në Prizren i konfiskohet thika në prani të prindit, rasti shkon në procedurë të rregullt

08.11.2025

Një rast shqetësues është raportuar në një shkollë të mesme në Prizren, ku një nxënës është kapur duke poseduar një mjet të mprehtë (thikë).

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar të mërkurën rreth orës 12:00. Pas marrjes së informacionit, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë konfiskuar thikën që gjendej në posedim të nxënësit.

I dyshuari, i mitur, është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në prani të prindit dhe përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale. Me vendim të prokurorit, ai është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po hetohet më tej për të sqaruar motivet dhe rrethanat.

Policia ka bërë apel që prindërit dhe institucionet arsimore të bashkëpunojnë ngushtë për të parandaluar raste të tilla, duke theksuar se mbajtja e mjeteve të rrezikshme në shkolla përbën shkelje serioze të ligjit dhe rrezik për sigurinë e nxënësve.