Policia e Kosovës “në terren” për zgjedhjet e 9 nëntorit – siguri maksimale për votuesit
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka hartuar urdhrin operativ policor për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash – balotazhin që do të mbahet të dielën, më 9 nëntor 2025.
Sipas njoftimit, plani operativ përfshin masat e sigurisë para, gjatë dhe pas ditës së votimit, me qëllim që procesi zgjedhor të zhvillohet në një klimë të qetë, të sigurt dhe demokratike.
Policia ka planifikuar angazhimin e plotë të njësive policore në të gjitha komunat, përfshirë sigurimin e qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore.
Në kuadër të këtij operacioni, Policia e Kosovës ka paraparë edhe transportin nën përcjellje të materialit sensitiv zgjedhor, duke siguruar mbrojtjen e tij deri në përfundim të procesit të numërimit.
Gjithashtu, janë caktuar koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera relevante, ndërsa është hartuar edhe një udhëzues i veçantë për zyrtarët policorë mbi detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit të balotazhit.
Policia e Kosovës thekson se do të inicojë dhe procedojë çdo rast të veprave penale që bien ndesh me të drejtën e votimit dhe do të ndërmarrë të gjitha masat procedurale e ligjore ndaj kujtdo që tenton të cenojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.
Në kuadër të zbatimit të urdhrit operativ, sot është mbajtur një takim informues dhe koordinues në mes të drejtorëve të drejtorive rajonale policore dhe menaxhmentit të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme, ku janë diskutuar detajet e planit të sigurisë dhe pikat specifike të operacionit.
Policia i bën thirrje qytetarëve dhe subjekteve politike që për çdo rast apo informacion që ndërlidhet me sigurinë gjatë zgjedhjeve të kontaktojnë menjëherë në numrin 192, përmes adresës elektronike [email protected], ose të raportojnë në stacionet më të afërta policore.
“Profesionalizëm, integritet dhe llogaridhënie mbeten parimet udhëheqëse të Policisë së Kosovës,” thuhet në njoftim, duke theksuar përkushtimin e institucionit për një proces zgjedhor të qetë, të sigurt dhe transparent në të gjithë vendin.