Vikendi i “zjarrtë” në Superligë, këto ndeshje zhvillohen në javën e 13-të
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka publikuar orarin e ndeshjeve për javën e 13-të të Superligës së Kosovës, ku pritet të zhvillohen disa duele interesante që mund të ndikojnë në renditjen tabelare.
Sipas njoftimit, dy ndeshje do të zhvillohen të shtunën dhe dy të dielën, të gjitha me fillim nga ora 13:00.
Të shtunën, Drenica do të përballet me Ballkanin në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, ndërsa në Podujevë, Llapi pret Prishtinën e Re në “Zahir Pajaziti”.
Të dielën, vëmendja zhvendoset në Malishevë, ku skuadra vendase pret Gjilanin në stadiumin “Liman Gegaj”. Në të njëjtën ditë, Ferizaj do të përballet me Dukagjinin në Stadiumin e Qytetit.
Ndërkohë, ndeshja e planifikuar për të hënën mes Dritës dhe Prishtinës është shtyrë dhe pritet të zhvillohet në një datë tjetër që do të konfirmohet nga FFK.
Superliga e Kosovës po hyn në një fazë vendimtare, ku çdo pikë është thelbësore për skuadrat që synojnë majat e tabelës apo mbijetesën në elitë.