Gruaja dhe vajza e mitur raportojnë dhunë nga bashkëshorti, i dyshuari në kërkim

06.11.2025

Numri i rasteve të dhunës në familje po rritet me ritme alarmante në vendin tonë. Çdo ditë raportohen incidente të reja, ku viktima janë gra, burra, madje edhe fëmijë.

Një rast i tillë është regjistruar së fundmi në kryeqytet, ku një grua dhe vajza e saj e mitur kanë raportuar në Polici se janë dhunuar nga bashkëshorti dhe babai i tyre.

Burime të afërta me hetimet bëjnë të ditur për Sinjalin se viktima K.P., rreth 41-vjeçare, dhe vajza e saj L.P., 14 vjeçe, janë paraqitur sot në Stacionin Policor në Prishtinë për të raportuar dhunën, e cila sipas tyre ka ndodhur më 29 tetor 2025, rreth orës 21:00, në rrugën “Smajl Hajdari”.

Sipas deklarimeve të tyre, i dyshuari B.P. ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tyre. Menjëherë pas raportimit, njësitë përkatëse policore janë angazhuar në trajtimin e rastit. Viktimave u janë ofruar shërbimet e nevojshme mjekësore dhe mbështetja nga Qendra për Punë Sociale.

Me urdhër të Prokurorit Kompetent, është iniciuar rasti “Dhunë në Familje”, ndërsa sipas burimeve, i dyshuari aktualisht është i pakapshëm dhe policia po punon për lokalizimin e tij.

Autoritetet kanë theksuar se hetimet janë në vazhdim dhe se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për ta zbardhur rastin dhe për të garantuar sigurinë e viktimave./Sinjali/