Policia e Kosovës raporton 27 aksidente me lëndime dhe mbi 2,000 gjoba brenda një dite
Policia e Kosovës ka publikuar raportin e fundit lidhur me sigurinë në komunikacion, duke bërë me dije se gjatë kësaj periudhe nuk është regjistruar asnjë aksident me fatalitet.
Megjithatë, 27 aksidente kanë përfunduar me lëndime, ndërsa 41 të tjera me dëme materiale.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit të zbatimit të ligjit, 17 persona janë arrestuar, ndërsa 16 të tjerë janë dërguar në mbajtje për shkelje të ndryshme.
Autoritetet policore kanë vijuar me masat për respektimin e rregullave në komunikacion, duke shqiptuar gjithsej 2,173 gjoba brenda një dite për shkelje të ndryshme si tejkalim shpejtësie, parakalime të rrezikshme dhe mosrespektim të sinjalistikës rrugore.
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë drejtuesit e automjeteve për të respektuar ligjet e komunikacionit, duke theksuar se veprimet parandaluese janë të domosdoshme për rritjen e sigurisë në rrugët e vendit.