Policia konfiskon dy armë pa leje, njëra pistoletë e tjetra pushkë gjuetie
Policia Rajonale e Gjakovës ka ndërmarrë veprime të suksesshme në dy raste të ndara, ku ka konfiskuar armë zjarri që po mbaheshin pa leje.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti i parë është regjistruar rreth orës 10:30 në fshatin Lugbunar, ku njësiti patrullues, gjatë kryerjes së detyrave të përditshme, ka hasur një person të dyshuar që mbante me vete një armë të gjatë – gjuetie, me katër copë fishekë. Hetimet e para kanë treguar se i dyshuari nuk posedonte leje për armën, ndërsa, sipas deklaratës së tij, arma ishte e trashëguar.
Ndërkohë, rasti i dytë ka ndodhur rreth orës 13:00 në Gjakovë, kur gjatë një kontrolli rutinë, policia ka ndaluar një motoçikletë. Gjatë kontrollit tek pasagjeri, është gjetur një pistoletë me një karikator dhe dhjetë fishekë, të cilat i mbante në posedim të paautorizuar.
Policia ka njoftuar se për të dy rastet është informuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar që të inicirohen rastet për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Të dy rastet do të trajtohen në procedurë të rregullt ligjore.