Mbi 2 mijë e 300 gjoba trafiku në 24 orë, dhjetëra aksidente në rrugët e Kosovës

01.11.2025

Policia e Kosovës ka publikuar statistikat e 24 orëve të fundit për sigurinë në trafik, ku bëhet e ditur se janë shqiptuar mbi 2 mijë e 300 gjoba ndaj drejtuesve të automjeteve në të gjithë vendin.

Sipas raportit ditor të Policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 52 aksidente trafiku, nga të cilat 22 kanë përfunduar me persona të lënduar, ndërsa 30 të tjera vetëm me dëme materiale.

Zyrtarët policorë theksojnë se shpejtësia mbi kufirin e lejuar, mospërshtatja e shpejtësisë kushteve të rrugës, pakujdesia e ngasësve dhe përdorimi i telefonit gjatë ngasjes mbeten ndër shkaqet kryesore të aksidenteve që po ndodhin pothuajse çdo ditë në rrugët e Kosovës.

Policia u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit rrugor, të shmangin përdorimin e telefonit gjatë ngasjes dhe të mos udhëtojnë me shpejtësi të lartë, pasi vetëm gjatë këtij viti dhjetëra persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve.

Në raportin e njëjtë bëhet e ditur se 10 persona janë arrestuar, 8 janë dërguar në mbajtje, ndërsa 1 person është dërguar për vuajtje të dënimit.

Policia e Kosovës ka paralajmëruar se kontrollet në trafik do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.