23 vjet kujtim e lavdi për Ukë Bytyçin dhe shokët e tij – Suhareka nderon bijtë e vet

27.10.2025

Sot në Shtëpinë e Kulturës në Suharekë është mbajtur akademia përkujtimore në nderim të ish-kryetarit të Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçi, dhe shoqëruesve të tij, Bajram Bytyçi dhe Bafti Bajrami.

Kjo akademi, e zhvilluar nën patronatin e kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, mblodhi sot shumë figura politike, familjarë, miq e bashkëpunëtorë të Ukë Bytyçit, shkruan SuharekaOnline.

Gjatë fjalës së tij, kryetari Muharremaj kujtoi Ukë Bytyçin si një figurë emblematike të komunës dhe më gjerë, duke theksuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë dhe demokracinë në vend.

“Ai u sakrifikua gjithmonë për lirinë dhe demokracinë e vendit. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të. Lavdi!”, u shpreh Muharremaj, duke shtuar se Ukë Bytyçi nuk i mungon vetëm familjes Muharremaj, por gjithë qytetarëve të Suharekës.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Suharekë, Ardian Shala, në fjalën e tij tha se sot të gjithë janë mbledhur me dhembje dhe krenari për të kujtuar Ukë Bytyçin.

“Ukë Bytyçi ishte simbol i guximit, një prej atyre burrave që nuk e ndante fjalën nga vepra. Ai luftoi me dinjitet,” u shpreh Shala.

Ndërkaq, Flamur Bytyçi, i biri i Ukë Bytyçit, kujtoi me emocione sakrificën e babait dhe të shokëve të tij që u flijuan për liri, duke falënderuar qytetarët e Suharekës që nuk e kanë harruar kurrë kujtimin e tyre.

“Babai im dhe shokët e tij u flijuan për liri. Faleminderit të gjithë qytetarëve që çdo vit nderojnë kujtimin e tyre,” tha ai.

Akademia përkujtimore vazhdoi me programin artistik të përgatitur për këtë rast, ndërsa më pas pjesëmarrësit bënë homazhe në Semetisht dhe Nishor, pranë varrezave ku prehen Ukë Bytyçi dhe shoqëruesit e tij.