Reagon Andin Hotit pas propozimit për Ministër të Familjes dhe Mirëqenies Sociale
Në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur sot, ku morën pjesë 110 deputetë, propozimi për formimin e Qeverisë së re nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme. Nga votat e dhëna, 56 deputetë votuan “për”, 52 “kundër”, ndërsa 4 abstenuan. Mes emrave të propozuar për kabinetin e ri qeveritar ishte edhe Andin Hoti, i cili ishte paraparë të drejtonte Ministrinë për Familje dhe Mirëqenie Sociale.
Pas zhvillimeve në seancë, kryeparlamentari Dimal Basha deklaroi se përgjegjësia tani i kalon presidentes Vjosa Osmani, duke theksuar se puna në institucione nuk është privilegj, por detyrë shërbimi ndaj qytetarëve dhe interesit publik.
Në një reagim publik, Andin Hoti shprehu keqardhje për situatën politike që çoi në mosformimin e Qeverisë, duke theksuar nevojën për qasje të matur dhe të përbashkët në shërbim të interesave shtetërore.
“Pavarësisht që sot nuk u arrit të formohet Qeveria e re, ky është një realitet politik që duhet pranuar me qetësi dhe përgjegjësi. Pa u përfshirë në debatet politike apo atmosferën e krijuar, më vjen keq që ende na mungon vetëdijesimi për veprim të unifikuar në shërbim të interesave shtetërore e kombëtare,” ka deklaruar Hoti.
Ai ka falënderuar për besimin e dhënë për të udhëhequr dikasterin që prek kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, duke theksuar se përgjegjësia ndaj qytetarëve mbetet e pandryshuar.
“Jam mirënjohës për vlerësimin dhe besimin që më është dhënë për të udhëhequr Ministrinë për Familjen dhe Mirëqenien Sociale. Ky është vendim i imi, i menduar mirë dhe i bazuar në rrethanat aktuale. Përgjegjësia për njerëzit do të mbetet e pandryshuar, ashtu si edhe përkushtimi ndaj punës dhe ndaj vendit tonë,” ka shtuar ai.
Hoti theksoi se politika, për të, mbetet mjet shërbimi dhe jo përfitimi.
“Aty ku jam, aty ku do të jem, dhe aty ku më besohet puna ime, do të vazhdoj të jem në shërbim të qytetarëve dhe të vlerave që na bashkojnë.”
Aktualisht mbetet në pritje hapi i Presidentes së Republikës, e cila sipas procedurave kushtetuese, pritet të ndërmarrë veprimet e radhës lidhur me procesin për formim të qeverisë.