OVL e UÇK-së e dënon ashpër vendimin e Speciales për refuzimin e provave për krimet serbe në Kosovë
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat kanë refuzuar shumicën e provave të paraqitura nga mbrojtja e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Në një deklaratë publike, OVL-UÇK e cilësoi këtë vendim si të papranueshëm dhe të padrejtë, duke theksuar se provat e refuzuara dokumentojnë krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, përfshirë masakra dhe veprime që sipas tyre përbëjnë gjenocid.
“Ky veprim është i papranueshëm dhe përbën një tjetër dëshmi të qasjes së njëanshme të kësaj gjykate, e cila po përpiqet ta paraqesë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës jashtë kontekstit të saj historik”, thuhet në reagimin e organizatës.
Sipas OVL-UÇK-së, shpallja si “të parëndësishme” e këtyre provave është një fyerje për drejtësinë dhe kujtesën historike të Kosovës, si dhe për gjithë ata që kanë pësuar nga dhuna e forcave serbe.
Në deklaratë shtohet se ky vendim është një arsye shtesë për të protestuar dhe për të ngritur zërin kundër padrejtësive që po i bëhen çlirimtarëve të Kosovës, duke i mohuar kontekstin e vërtetë të luftës dhe sakrificës së tyre.
OVL-UÇK ka kërkuar nga qytetarët dhe institucionet vendore që të mos heshtin ndaj këtij vendimi, i cili sipas tyre rrezikon të shtrembërojë historinë e luftës së UÇK-së dhe të njollosë përpjekjen e drejtë të popullit të Kosovës për liri.